Shefi i klubit të Bajern Mynih, Karl Hainc Rumenige, mendon se humbja në finalen e Ligës së Kampioneve përballë Çelsit është më tragjikja në historinë e skuadrës bavareze, duke kaluar edhe atë më të pabesueshmen e vitit 1999. Atëherë, Bajern po fitonte Ligën e Kampioneve përballë Mançester Juanjtid, por skuadra angleze shënoi dy herë në minutat e fundit të ndeshjes për të rrëmbyer trofeun.
Sipas Rumeniges, triumfi i Çelsi ishte më “brutal” dhe shkaktonte më shumë dhimbje. “Unë e kam kaluar këtë situatë në vitin 1999 kur humbëm në mënyrë kaq dramatike përballë Mançester Junajtid në Barcelonë, me gola në minutën e 89 dhe 92”.
“Ajo ndeshje ishte brutale, por kam përshtypjen se kjo natë është edhe më e trishtueshme, brutale dhe dëmtuese për klubin. Dhimbja që provojmë është e pabesueshme”.
“Kjo është një prej atyre netëve kur pyet veten: a do të kishte qenë më mirë të qëndroja në shtëpi që të mos e përjetoja të gjithë këtë? Thjesht pyet veten si ndodhi që përfunduam me këtë rezultat”, ishin fjalë e Rumeniges.
Por sipas “Bild”, drejtuesit e skuadrës e kanë gjetur se ku ishte faji për një disfatë të tillë. Revista gjermane ka zbuluar se shumë lojtarë janë tërhequr mbrapa duke refuzuar të gjuajnë penalltitë në fund të ndeshjes dhe kjo është cila një sjellje “humbësish” edhe nga vetë drejtuesit më të lartë të ekipit.
“Jemi tallur gjithmonë me Leverkusen që në vitin 2002 doli kudo i dyti. Tani jemi vetë në një situatë të tillë”, ishte komenti i hidhur i Uli Hënes. (LajmeShqip.com)
Monday, 21 May 2012 09:20