Montpelje siguroi titullin e parë kampion të Francës në historinë e klubit pas një fitoreje dramatike 2-1 në fushën e Okser në javën e fundit të kampionatit. Në një takim të pezulluar dy herë nga protesta e tifozëve vendas që mbushën fushën me topa tenisi e më pas me fishekzjarre, gjithçka u vendos nga dy golat e Utaka që përmbysën avantazhin e vendasve dhe siguruan këtë titull historik.
Montpelje e mbylli sezonin me 3 pikë avantazh nga PSZH, ndonëse në një pikë të ndeshjes rrezikonte seriozisht që të humbte titullin, pasi ajo po barazonte 1-1 ndërsa parisienët po fitonin 2-1 në fushën e Lorient. Ky sukses i skuadrës që drejtohet nga Rëne Zhirard është historik edhe për faktin se vitin e kaluar, kjo skuadër e mbylli kampionatin në vendin e 14-të, duke qenë shpesh e rrezikuar për të rënë nga kategoria.
Sulmuesi i kësaj skuadre, Olivier Zhirud, u shpall edhe golashënuesi më i mirë kampionatit. Ai shënoi 21 gola, po aq sa Nene i PSZH, por mori titullin sepse ka shënuar me pak gola me penallti. (LajmeShqip.com)
Monday, 21 May 2012 08:03