Adriano Galiani po ideon që tani Milain e ri, duke synuar ndërtimin e një cikli fitues me kampionë të një moshe të re. Largimi i veteranëve ka shkurtuar me 33 milionë euro shpenzimet e kuqezinjve për rrogat vjetore, duke i krijuar mundësinë që të investojë më shumë për futbollistët që synon të afrojë dhe të mos marrë vetëm lojtar me parametër zero.
Emri i parë në listën e dëshirave duket se është mesfushori i përfaqësueses së Brazilit, Ganso. Të hënën, Adriano Galiani do të takohet me Tiago Ferro, presidenti i kompanisë që zotëron 55% të të drejtës së kartonit të futbollistit të Santos.
Në këtë bisedë do të flitet rreth kërkesave të Santos për shitjen e lojtarit, ndërsa vetë futbollisti është dakort që të transferohet sa më parë ne Evropë. Drejtuesi i kuqezinjve synon që në marrëveshje të përfshijë sulmuesin Robinjo, duke tentuar një ndërrim mes dy futbollistëve, për të mos shpenzuar shumë para për blerjen e një lojtari që shihet me shumë interes nga pjesa me e madhe e klubeve të njohura evropiane.
Santosi mendohet se kërkon 20 milion euro dhe këtë e ka bërë të qartë në janar, kur refuzoi dy oferta të Portos, pasi asnjë prej tyre nuk i afrohej kësaj shume. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 May 2012 17:02