Oklahoma i ka dhënë një goditje shumë të rëndë shpresave të LA Leikërs për të fituar këtë seri, pasi i ka marrë një fitore shumë të rëndësishme 103-100 në fushën e saj skuadrës së Kobi Brajant. Ky i fundit ka shënuar 38 pikë, 8 topa në tabelë dhe 5 pasime, por përsëri nuk ka arritur të ndalë dyshen e sulmit të Oklahomas. Rasëll Uestbruk ka shënuar 37 pikë e 5 pasime, ndërsa Kevin Durant ka shtuar 31 pikë e 13 topa në tabelë. Realizimi më i rëndësishëm i këtij të fundit është pikërisht koshi për tre pikë që shënoi kur kishin mbetur pak sekonda para fundit të takimit dhe që rezultoi vendimtar për këtë sfidë.
San Antonio vazhdon serinë e fitoreve ndaj LA Klipërs duke mundur kalifornianët edhe pse është dashur të rikuperojë një diferencë shumë të thellë pikësh. Në periodën e dytë, teksanët e kanë parë veten 20 pikë pas. Por në periodën e tretë, falë një pjese lojë ku ata kanë shënuar 24 pikë radhazi duke mos lënë kalifornianët të shënojnë qoftë edhe një pikë, San Antonio ka marrë kontrollin e ndeshjes duke fituar me rezultatin 96-86 dhe duke çuar serinë në 3-0. Tim Dankan shënoi 19 pikë e 13 topa në tabelë, ndërsa Toni Parker shtoi 23 pikë e 10 pasime. Në radhët e LA Klipërs, Bleik Grifin iu kthye paraqitjeve të tij të zakonshme me 28 pikë e 16 topa në tabelë, por u zhduk në minutat e fundit të ndeshjes, atëherë kur ekipi kishte më shumë nevojën e tij. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
San Antonio (3)-LA Klipërs (0) 96-86
Oklahoma (3)-LA Lekërs (1) 103-100
Sonte
Majemi (1)-Indiana (2)
San Antonio (3)-LA Klipërs (0)
Sunday, 20 May 2012 14:27