Klubi i Malagas ka si objektiv kryesor të përforcojë sulmin gjatë sezonit të ardhshëm, pasi kërkon të rritë ambiciet falë edhe pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve. Drejtuesit e klubit janë të interesuar të kërkojnë një qendërsulmues të mirëfilltë për t’ia vënë në dispozicion trajnerit Manuel Pelegrino,
Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat spanjolle, janë dy emrat që i interesojnë për momentin drejtorit sportiv Fernando Hierro, dy futbollistët e Mançester Sitit, Edin Xheko dhe Emanuel Adebajor.
Togolezi Adebajor duket si opsioni më i mundshëm, pasi futbollisti nuk preferohet nga trajneri Mançini dhe dy sezonet e fundit i ka kaluar duke u huazuar fillimisht te Real Madrid, pastaj te Totenhem. Lojtari është qendërsulmuesi i mirëfilltë që kërkon Manuel Pelegrini, i cili përdorte shpesh Van Nistelroin në këtë pozicion.
Por synimi i vërtetë i skuadrës, duket se është të bindë Edin Xhekon, pasi Hierro mendon se boshnjaku mund t’u garantojë më shumë gola se togolezi. Xheko nuk është më titullar te Mançester Siti dhe kjo mund të mjaftojë për të pranuar transferimin te Malaga, një skuadër e cila ka po aq para sa Siti pasi drejtohet nga sheikët arabë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 19 May 2012 14:18