Sulmuesi i Çelsit, Didier Drogba, ka hedhur poshtë të gjitha zërat që e shohin atë pranë nënshkrimi të një kontrate me Barcelonën, klub të cilit ai mendohet se i është ofruar vetë.
Por lojtari, gjatë konferencës për shtyp para finales së Ligës së Kampioneve që luan sonte kundër Bajernit, ka bërë të qartë se nuk ka firmosur me askënd dhe ekziston ende mundësia që ai të gjejë një akord me klubin e Çelsit për të qëndruar te londinezët.
“Dua të bëj të qartë se ka shumë zëra për mua sikur i jam ofruar Barcelonës. Kjo nuk është e vërtetë”, tha futbollisti 34 vjeçar. “Ngazëllimi për një finale të madhe në Ligën e Kampioneve është shumë më i rëndësishëm sesa një ofertë nga Barcelona”.
“Të gjithë po flasin për “ndeshjen e fundit”, por unë jam thjesht i lumtur që jam në finalen e Ligës së Kampioneve. Jam treguar edhe më parë i gatshëm të ulem e të flas me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës. Por tani nuk po mendoj aspak për një gjë të tillë. Ndeshja është shumë e rëndësishme, pasi kemi katër vjet që presim të kthehemi në finale”, ishin fjalët e Drogba.
Sulmuesi ka marrë një mbështetje të fuqishme edhe nga trajneri Roberto Di Mateo, i cili i ka dhënë atij përsëri një rol të dorës së parë në skuadër që në momentin kur ka marrë drejtimin e Çelsit.
“Didier na ka sjellë shumë sukses, ka shënuar shumë gola, ndaj çfarëdo që të ndodhë në finale, ai do të jetë gjithmonë një legjendë për këtë klub”, ishin fjalët e teknikut italian. (LajmeShqip.com)
Saturday, 19 May 2012 11:40