Mbrojtësi i Barcelonës, Xherard Pike, ka hedhur poshtë aludimet se mes tij dhe trajnerit Pep Guardiola ka patur probleme gjatë sezonit të fundit. Sipas mediave spanjolle, që në mars, trajneri ka vendosur ta lërë jashtë formacionit lojtarin për shkak të një zënke, ndërsa i kishte bërë të qartë drejtuesve të klubit se nuk e dëshironte futbollistin në edicionin e ardhshëm.
Pike nuk u dha rëndësi këtyre raportimeve të shtypit dhe bëri të ditur se do të vazhdojë të qëndrojë në klub ndonëse ka kaluar shumë ndeshje në stolin e rezervave gjatë këtij sezoni.
“Nuk kam patur asnjëherë probleme me Guardiolën dhe gjithmonë ia kemi thënë gjërat në sy njëri-tjetrit kur ka qenë e nevojshme”, tha ai për TV3. “Në një klub të madh si ky, e di që je thjesht kalimtar, por unë dua që të qëndroj për shumë vite këtu, ndonëse disa persona dëshirojnë të flasin për transferime kur arrin vera”.
Futbollisti i përfaqësueses spanjolle gjithashtu ka hedhur poshtë idenë se Barcelona do të pësojë regres pas largimit të Guardiolës dhe se Vilanova nuk është në lartësinë e duhur për këtë detyrë.
“Nëse Guardiola nuk qëndroi, do të thotë se ka diçka që e bëri të kuptojë se kishte ardhur koha të largohej. Në dhomat e zhveshjeve në nuk u çuditëm që Tito Vilanova do të jetë trajneri i ri. Ai na ka treguar se ka një karakter të fortë gjatë Superkupës, kur shtyu Zhoze Murinjon pasi ky i fundit i futi gishtin në sy”, deklaroi Pike.
Mbrojtësi i është bashkuar Barcelonës në vitin 2008, pasi kishte kaluar katër vite me Mançester Junajtid në kampionatin anglez. (LajmeShqip.com)
Friday, 18 May 2012 12:30