“Të them se jam i zhgënjyer është minimizim”. Ky është reagimi i parë i Rio Ferdinand pasi ka mësuar se është lënë përfundimisht jashtë listës së kombëtares angleze të futbollit nga trajneri Roi Hodgson.
Futbollisti që ka 87 ndeshje me fanellën e Anglisë që nga debutimi i tij në vitin 1997, nuk u përfshi mes 23 emrave që do të marrin pjesë në Euro 2012, ndërsa ish-kapiteni Xhon Terri po. Dy lojtarët nuk kanë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin qëkur kapiteni i Çelsit u akuzua se ka përdorur fyerje raciste ndaj Anton Ferdinand, vëllait të futbollistit të Junajtid.
“Absolutisht që kam dëshiruar të luaj për Anglinë… të them që kam pësuar një zhgënjim është minimizim i nivelit më të lartë”, ishin fjalët që Ferdinand publikoi në Twitter menjëherë sapo u bë publike lista e lojtarëve.
Të njëjtin zhgënjim e ka shfaqur edhe mbrojtësi i Mançester Sitit, Mikah Riçards, i cili është lënë jashtë kësaj liste.
“Sigurisht që reagimi im i parë ishte zhgënjimi, por trajneri është ai që përzgjedh skuadrën dhe nuk mund të marrë të gjithë lojtarët. Por askush nuk dot bëjë tifozeri më shumë se unë për Anglinë kur të fillojë Kampionati Evropian. Shokët e mi nga Siti dhe klubet e tjera do të luajnë, ndërsa unë dua që vendi im të fitojë këtë turne”, tha mbrojtësi. (LajmeShqip.com)
Thursday, 17 May 2012 10:38