Braziliani Lusio do të largohet nga Interi gjatë verës, sipas asaj që ka konfirmuar vetë menaxheri i futbollistit.
Qendërmbrojtësi ka qenë një titullar i padiskutueshëm te Inter që nga momenti kur iu bashkua kësaj skuadre në vitin 2009, pasi u transferua për 7 milionë euro nga Bajern Mynih. Ndonëse ai ka një kontratë deri në vitin 2014 me Interin, mendohet se 34 vjeçar do t’i japë shumë shpejt lamtumirën ekipit.
“Ai i ka dhënë fund tre viteve të shkëlqyera te Interi dhe mendon se është koha e duhur për një ndryshim”, tregoi menaxheri Sandro Beker. “Po merremi me këtë çështje që javën e kaluar dhe do të flasim përsëri me Interin këto ditë. I kemi treguar Interit mendimet tona dhe ata e kanë pranuar një vendim të tillë. Tani na mbetet të kërkojmë një klub të ri”.
Menaxheri shpjegoi se qëllimi i lojtarit është të qëndrojë në Evropë, por nuk e përjashtoi mundësinë e kthimit në Brazil.
“Preferenca e tij është të luajë në një kampionat të rëndësishëm evropian, por nuk i dihet asnjëherë. Ka shumë interes nga klubet braziliane dhe Lusio e di që këtu do të organizohet Botërori 2014. Ndaj e ardhmja mbetet e hapur për çdo mundësi”, tregoi Beker për futbollistin që ka luajtur 105 ndeshje për Brazilin që nga viti 2000. (LajmeShqip.com)
Thursday, 17 May 2012 10:04