Shinji Kagaua ka konfirmuar se ka zhvilluar bisedime me trajnerin e Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, duke bërë të qartë se mund të transferohet te kjo skuadër. Futbollisti japonez refuzoi rinovimin e kontratës te Borusia Dortmund, me qëllimin e vetëm për të realizuar ëndrrën e kalimit në kampionatin anglez të futbollit.
Duket se “djajtë e kuq” janë në rrugën e duhur për të siguruar shërbimet e futbollistit pasi ai shkëmbeu “fjalë të mira” me Ferguson gjatë takimit që zgjati rreth dy orë.
“Ishte një gjë e mirë që isha në gjendje ta takoja personalisht dhe të flitnim”, tha Kagaua pas kthimit të tij në Japoni ku do të luajë një miqësore me kombëtaren kundër Azerbajxhanit.
“Dua të mendohem mirë para se të marr vendimin tim. Dua një skuadër në të cilën do të kem sfida të rëndësishme”.
Futbollisti 23 vjeçar, i cili pritet të kushtojë rreth 15 milionë euro, ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të tjera si Çelsi, Arsenal, Mançester Siti apo Milan. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 May 2012 12:30