Veterani i Mançester Junajtid, Rajan Gigs, ka pranuar se e tërheq shumë ideja e përfaqësimit të Britanisë së madhe në Lojërat Olimpike Londër 2012. Futbollisti ka luajtur 64 ndeshje me kombëtaren e Uellsit, por nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një turne madhor.
“Jam te lista e madhe e kandidatëve dhe nëse përzgjidhem do të ishte fantastike. Mendoj se të gjithë janë të lumtur rreth Lojërave Olimpike që vijnë në Londër dhe pjesëmarrjes në këtë aktivitet, por më duhet të pres pas nuk e di nëse do të përzgjidhem apo jo”.
“Është sigurisht një aktivitet ku unë nuk jam përfshirë më parë. Mendoj se do të jetë entuziazmues pikërisht për këtë arsye, ndaj shpresoj që të bëhet realitet një gjë e tillë”, tha Gigs.
Trajneri Stjuart Pirs mund të zgjedhë 3 lojtarë të cilët janë mbi moshën 23 vjeç për t’i përfshirë në ekipin prej 18 futbollistësh, ndërsa Devid Bekam është kandidat kryesor për të siguruar një nga këto vende në listë.
Gigs u shpall “Lojtari më i mirë” i 20 viteve të fundit në kampionatin anglez të martën, duke mundur emra të tjerë të famshëm të futbollit botëror si Tierri Henri, Pol Skols apo Denis Bergkamp. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 May 2012 08:41