Atletiko Madrid i ka vënë çmimin 50 milion paund sulmuesit të saj Radamel Falkao, duke parë interesimin e vazhdueshëm të klubeve angleze ndaj tij.
Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, ky vendim është marrë pasi ka mbërritur edhe oferta e parë jozyrtare e Çelsit, që ofron Fernando Torres dhe 15 milion paund për kolumbianin.
Por Atletiko ka bërë të qartë se kërkon vetëm para për lojtarin i cili konfirmoi se është një sulmues i shkëlqyer edhe pse ndërroi skuadër një vit më parë, duke u transferuar drejt Spanjës nga radhët e Portos.
Ai shënoi 33 gola në 36 ndeshje nën drejtimin e Andre Vijas Boas në radhët e skuadrës portugeze, duke përfshirë 17 në 14 ndeshje në Europa League, për të vendosur një rekord të ri për këtë turne një vit më parë
Falkao e vazhdoi këtë formë të shkëlqyer në këtë sezon, duke shënuar 24 gola në 34 ndeshje për Atletiko Madrid, përfshirë dy golat në finalen e Europa League që i dhanë suksesin skuadrës së tij. Me këto dy gola, ai ka arritur shifrën rekord të 29 golave në 29 ndeshje në Europa League. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 15 May 2012 14:10