Mesfushori i Bajern Mynih, Frank Riberi, e ka cilësuar Çelsin një skuadër taktikisht më të fortë se Barcelona. Sipas tij, askush nuk duhet të nënvlerësojë klubin anglez që arriti të eliminonte favoritët katalanas në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni.
“Nëse bëhet fjalë për lojën në vetvete, Barcelona është më e fortë. Por nëse sheh organizmin, taktikën, goditjet standarde, atëherë Çelsi është skuadër më e mirë”.
“Në gjysmëfinale, Çelsi luajti ashtu siç duhej ndaj një skuadre si Barcelona, ndërsa në Mynih ata do të kenë përsëri një sjellje mbrojtëse, me një skuadër të organizuar mirë dhe kompakte. Do të jetë shumë e vështire për ne”, deklaroi ai.
Por francezi beson se skuadra e tij shkon më e përgatitur në këtë finale të Ligës së Kampioneve në krahasim me atë të dy viteve më parë të humbur përballë Interit, ku ekipi italian dominoi plotësisht.
“Jemi shumë më të mirë se dy vite më parë, jemi shumë më të qetë. Nuk shqetësohemi shumë dhe na pëlqen përsëri të luajmë futboll. Këtu ka meritë edhe trajneri, tek i cili kemi besim të palëkundur”, deklaroi futbollisti, i cili pranoi se kjo ishte ndeshja më e rëndësishme e karrierës së tij deri tani. (LajmeShqip.com)
Monday, 14 May 2012 19:47