Duke uruar rivalët e Mançester Sitit për titullin kampion, Aleks Ferguson u ka kujtuar atyre se kanë shumë rrugë për të bërë që të cilësojnë veten në të njëjtin nivel me Mançester Junajtid.
Trajneri i Junajtid nuk i rezistoi tundimit për të kujtuar reputacionin që ka klubi i tij si fitues i shumëfishtë trofesh, me atë të rivalëve që fituan titullin që i mungonte prej 44 vitesh.
“Ata mund të festojnë sa të duan, kjo është e pritshme, por historia e klubit tonë na vë në veçanti nga ata. Nuk kemi pse shqetësohemi. Mendoj se kemi një histori të pasur, më të mirë se çdokush dhe do t’u duhet atyre një shekull që të arrijnë te niveli i historisë tonë”.
Edhe pse është 70 vjeçar, Ferguson është i vendosur të jetë njeriu që do të mundohet të ndalë Sitin nga përsëritja e këtij suksesi në sezonin ardhshëm. “Ne i pranojmë sfidat, jemi të mirë për gjëra të tilla”.
“Në emër të Mançester Junajtid dua t’i bëj përgëzimet për komshinjtë tanë. Është një arritje fantastike, ky nuk është një kampionat i lehtë, ky është kampionati më i vështirë në botë dhe kushdo që e fiton atë, e meriton”.
“Do të vijë një kohë kur të ulemi të kujtojmë se çfarë bëmë mirë apo keq, por me 89 pikë, në pjesën më të madhe të sezoneve, do të kishim fituar titullin kampion. Tani kemi disa lojtarë të rinj që do t’u shërbejë eksperienca e kësaj disfate pasi në disa raste eksperienca më e keqe është më e mirë”, tregoi trajner i Mançester Junajtid. (LajmeShqip.com)
Monday, 14 May 2012 10:59