Luis Hemilton është dënuar për t’u nisur nga vendi i fundit në Çmimin e Madh të Spanjës që zhvillohet sot në drekë, pas një gabimi tjetër të skuadrës MekLaren.
Shpejtësia me të cilën piloti britanik siguroi xhiron më të mirë në provat zyrtare me rreth gjysmë sekonde diferencë më ndjekësit, e bënte atë kandidatin kryesor për të fituar në pistën e Barcelonës.
Por mundi i tij shkoi dëm pasi drejtuesit e garës e kanë dënuar duke e çuar në fundin e rreshtit të makinave, pasi një mekanik nuk i hodhi mjaftueshëm karburant makinës së tij dhe ai u detyrua që ta parkonte në pistë, pa patur mundësinë që ta kthente në bokse.
Por kjo nuk lejohet nga rregullorja, përveç rasteve kur ka një problem teknik, pasi piloti duhet të kthehet në bokse dhe nga makina e tij të merret për testime të paktën 1 litër karburant.
Zyrtarët e pistës spanjolle filluan menjëherë hetimin pasi dëgjuan komunikimin në radio të skuadrës MekLaren, ndërsa këta të fundit pretenduan se makina e Hemilton ishte ndalur për shkak të një “force madhore”. Por në fakt, ata kishin detyruar pilotin të ndalej pasi në të kundërt nuk do të kishte në makinë karburant të mjaftueshëm për të bërë testimin që kërkon rregullorja.
Si rrjedhojë e këtij dënimi, Luis Hemilton skualifikohet nga provat zyrtare, por lejohet ta nisë garën nga vendi i fundit. Ndërsa pole-position e trashëgon venezuelasi Pastor Maldonado, i cili i ka bërë dhuratën më të bukur të 70 vjetorit të lindjes shefit të skuadrës së tij, Frenk Uilliams. (LajmeShqip.com)
Sunday, 13 May 2012 08:04