Kategoria Superiore ka mbyllur këtë edicion me një spektakël të shëmtuar, ku pak rëndësi ka patur fakti se Skënderbeu është shpallur kampion për të dytën herë radhazi.
Triumfi i pritur i korçarëve në fushën e Pogradecit me rezultatin 3-1 ka dënuar këta të fundit me rënien e drejtpërdrejtë nga kategoria, ndërsa ka qenë Apolonia që ka kaluar në play-out falë një suksesi të turpshëm 6-5 ndaj Tomorit.
Marrëveshja e dukshme mes skuadrave i dha tri pikët fierakëve, ndërsa beratasit i krijuan mundësinë Bakiut që të shënonte katër herë, duke synuar të shpallej golashënuesi më i mirë.
Turpit të Fierit i kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë spektakli i shëmtuar në Shkodër, ku Vllaznia vendase i jep fund sezonit të saj të dështuar me një estradë po aq të shëmtuar 4-4 ndaj Shkumbinit. Me këtë rezultat që dukej qartësisht që ishte i paracaktuar nga të dy skuadrat, Shkumbini siguroi si mbijetesën në Superiore, ashtu edhe “Këpucën e Artë” për Roland Dervishin që çuditërisht shënonte sa herë që shënonte edhe Bakiu në ndeshjen e Fierit.
Si rrjedhojë, verdiktet e sezonit flasin për Skënderbeun kampion dhe pjesëmarrës në Ligën e Kampioneve, ndërsa do të luajë pas pak ditësh kundër Tiranës në finalen e Kupës së Shqipërisë. Sido që të shkojë kjo ndeshje, në Europa League do të shkojnë Teuta nënkampione si dhe Tirana e Flamurtari.
Direkt nga kategoria kanë rënë Dinamo e Pogradeci, ndërsa në play-out shkojnë Tomori, Kamza e Apolonia. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Pogradeci-Skënderbeu 1-3
40’ Çerepi / 7’, 48’ Xhafaj, 44’ (p) Shkembi
Kastrioti-Teuta 1-2
39’ Cetkoviç / 17’ Hyshmeri, 52’ (p) Mancaku
Tirana-Kamza 1-0
68’ Çikalleshi
Flamurtari-Laçi 0-0
Apolonia-Tomori 6-5
22’ Ibrahim, 64’ Cimili, 70’, 88’ Rama, 76’ Llenga, 80’ Rrapaj/ 55’, 70’, 74’, 84’ Bakiu, 59’ Shameti
Vllaznia-Shkumbini 4-4
30’ Gjini, 75’ Kruja, 80’ Mujeci, 89’ Erkoçeviç / 35’ Shenaj, 78’, 85’ (p), 92′ R. Dervishi
Renditja
Skënderbeu 57, Teuta 56, Tirana 53, Flamurtari 46, Kastrioti 38, Vllaznia 35, Bylis 35, Laçi 34, Shkumbini 31, Tomori 28, Kamza 27, Apolonia 21, Pogradeci 19, Dinamo 13.
Play-out
Apolonia-Lushnja
Kamza-Besa
Tomori- Besëlidhja
Saturday, 12 May 2012 21:53