Luis Hemilton me MekLaren ka marrë pole-position në Çmimin e Madh të Spanjës në Formula 1, duke regjistruar kohën më të mirë për të kaluar në xhiron e fundit surprizën e këtyre provave zyrtare, venezuelasin Pastor Maldonado me Uilliams.
Hemilton tregoi shpejtësinë e makinës së tij duke shënuar një kohë prej rreth gjysmë sekonde më të shpejtë se ajo e ndjekësit më të afërt, duke konfirmuar se është pretendent kryesor për fitoren në garën e nesërme. Kjo ishte hera e 150-të në historinë e Formula 1 që një makinë MekLaren arrin të regjistrojë pole-position.
Në vendin e tretë në vijën e nisjes do të jetë Fernando Alonso me Ferrari, që më në fund është dukur në gjendje të rivalizojë, ndonëse nuk ka ende hapin e skuadrave të kreut. Pas spanjollit që garon në pistën e shtëpisë, janë renditur dy makinat Lotus, me Groszhan që kaloi Raikonen.
Shumë prej pilotëve pretendentë nuk shfaqën formën e tyre më të mitë në këto prova zyrtare, ku Xhenson Baton me MekLaren u rendit i 11-ti, ndërsa Mark Ueber me Red Bull e ndjek në vendin e 12-të. Zhgënjim edhe më i madh për Felipe Masa me Ferrarin tjetër, pasi braziliani do të niset vetëm nga vendi i 17-të në këtë garë. (LajmeShqip.com)
ÇMIMI I MADH I SPANJËS
RADHA E NISJES
1. Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)
2. Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)
3. Fernando Alonso (Ferrari)
4. Romein Groszhan (Lotus-Reno)
5. Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
6. Serxho Perez (Sauber-Ferrari)
7. Niko Rosberg (Mercedes)
8. Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
9. Mikael Shumaker (Mercedes)
10. Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)
11. Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
12. Mark Ueber (Red Bull-Reno)
13. Pol di Resta (Force India-Mercedes)
14. Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)
15. Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)
16. Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)
17. Felipe Masa (Ferrari)
18. Bruno Sena (Uilliams-Reno)
19. Vitali Petrov (Katerham-Reno)
20. Haiki Kovalainen (Katerham-Reno)
21. Çarls Pik (Marusia-Kosuorth)
22. Timo Glok (Marusia-Kosuorth)
23. Pedro de la Rosa (HRT-Kosuorth)
24. Narain Kartikeian (HRT-Kosuorth)
Saturday, 12 May 2012 16:10