Arsen Venger është i ndërgjegjshëm se pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm do ta ndihmojë Arsenalin të sigurojë rinovimin e kontratës së Robin Van Persi. Një fitore të dielën në fushën e Uest Bromuiç i garanton vendin e tretë “”topçinjve” që do të thotë edhe kalim direkt në fazën e grupeve të këtij turneu.
“Unë mendoj se mund të ndikojë, por në fakt për një gjë të tillë duhet ta pyetni vetë atë. Por ne nuk fokusohemi vetëm te kjo çështje, pasi kontrata e Robin nuk ka përfunduar”, iu përgjigj Venger gazetarëve që e pyetnin për këtë temë.
Ai mendon se tani Arsenali nuk do të jetë i detyruar të shesë Van Persin, siç ndodhi një vit më parë me Çesk Fabregas te Barcelona apo Samir Nasri te Mançester Siti.
“Njerëzit flasin sikur pozicioni ynë nuk është i rëndësishëm. Por pozicioni ynë në këtë çështje është shumë i rëndësishëm. Pozicioni ynë me Çesk ishte ta linim të largohej pasi ai dëshironte të largohej”, shpjegoi trajneri francez, duke lënë të kuptohej se tashmë Arsenali nuk do të vepronte në të njëjtën mënyrë me holandezin, edhe nëse ky i fundit vendos të mos rinovojë.
Një dështim në ndeshjen e fundit mund të nxjerrë Arsenalin jashtë Ligës së Kampioneve, sidomos nëse Çelsi fiton këtë turne në finalen e 19 majit dhe fiton automatikisht të drejtën për të kaluar në kompeticionin e vitit të ardhshëm.
“Edhe Europa League nuk është një turne pa vlerë. Më mirë të luash aty se të mos luash fare. Këtë vit kam parë ndeshje të shkëlqyera aty, ashtu siç ishte finalja e pak ditëve më parë. Por kuptohet që nëse kam mundësinë të zgjedh, do të them se preferoj Ligën e Kampioneve”, përfundoi tekniku francez. (LajmeShqip.com)
Saturday, 12 May 2012 15:13