MekLaren ka bërë të ditur se ka bërë ndryshime mes mekanikëve të pit-stop, pas gabimeve që këta të fundit kanë bërë në gara. Gabimet në Kinë dhe Bahrein në ndërrimin e gomave për Luis Hemilton dhe Xhenson Baton, i kanë kushtuar pikë të rëndësishme dy pilotëve britanikë.
Në Shangai, Baton humbi mundësinë për të luftuar për fitore pas ndërrimit të ngadaltë të gomave në ndalesën e tij të fundit.
Një javë më vonë, në Bahrein, Hemilton kishte dy herë radhazi probleme në ndryshimin e gomës së tij të prapme të majtë, duke detyruar shefin e skuadrës, Martin Uitmarsh, që të ndryshonte mekanikun që mbulonte atë pozicion për zëvendësimin e tretë të gomave.
Pas një “hetimi” të brendshëm të procedurave të pit-stop në skuadrën MekLaren, Uitmarsh bëri të ditur se që në garën e Barcelonës do të ketë ndryshime rrënjësore në këtë aspekt të garës.
“Kemi bërë disa ndryshime brenda skuadrës. Kuptohet që në një skuadër si MekLaren, ku objektivi është që të bëhet një ndërrim gomash në më pak se 3 sekonda, presioni është i madh. Kjo është edhe një sfidë fizikisht e vështirë pasi pistoleta që shtrëngon gomën është e rëndë dhe të mos harrojmë që manovrohet mbi elementë të nxehtë nën vëzhgimin e miliona njerëzve”, tregoi Uitmarsh.
“Pas garës së fundit vendosëm të bënim disa ndryshime dhe mendoja se nuk do të kishim vullnetarë për këtë detyrë. Po jemi habitur se sa nga mekanikët kanë kërkuar të marrin përsipër të jenë pjesë e procesit të pit-stop, duke treguar shpirtin e kësaj skuadre”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 May 2012 10:01