Mançester Junajtid i ka dërguar një shkresë zyrtare Federatës Angleze të Futbollit duke i bërë të qartë se vetëm Rajan Gigs ka leje për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Londër 2012 nga të gjithë lojtarët mbi 23 vjeçarë që mund të përzgjidhen nga kjo skuadër.
“Djajtë e kuq” kanë bërë të qartë se nuk do të lejojnë që Stjuart Pirs të marrë në këtë aktivitet lojtarë si Xhoni Evans, Pol Skols, Uejn Runi dhe Rio Ferdinand.
Një rregull i vitit 2008 i lejon klubet që të refuzojnë thirrjet për skuadrën olimpike pasi ky aktivitet nuk është pjesë e kalendarit ndërkombëtar të publikuar nga FIFA.
Megjithatë, Junajtid ka bërë të ditur se refuzon vetëm ftesat për lojtarët mbi 23 vjeç, që do të thotë se futbollistë si Tom Kliverli, Deni Uelbek, Fil Xhons dhe Kris Smalling mund të marrin pjesë në këtë aktivitet, gjithmonë nëse nuk thirren më përpara në Euro 2012 nga Roi Hodgson.
Rajan Gigs pritet të jetë përfaqësuesi i Uellsit në kombëtaren e Britanisë së Madhe që do të marrë pjesë në këto Lojëra Olimpike ndonëse Federata e vendit të tij nuk është dakord që uellsianët të përfaqësohen në këtë aktivitet. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 May 2012 09:23