Një futbollist i krahut të majtë është prioritet i Barcelonës për sezonin 2012-13 dhe emri që është përmendur më shumë në muajt e fundit është ai i Garet Beil, me të cilin me sa duket katalanasit kanë gjetur një akord paraprak.
Futbollisti i Totenhem ka qenë nën vëzhgimin e Çelsit dhe Mançester Sitit por thirrja e katalanasve ka qenë shumë më e fortë. Sipas programit “Futboleros” të “MARCA TV”, Barcelona ka arritur një akord me Beil për blerjen e tij që do të kushtojë 40 milionë euro.
Futbollistit i është vënë para një kontratë 5 vjeçare me një rrogë bazë prej 5 milion eurosh në sezon. Dëshira e lojtarit për t’u transferuar do të jetë përcaktuese në marrëveshje dhe kjo është arsyeja pse katalanasit janë të sigurt se ai do të arrijë të bindë klubin anglez ta lërë të ikë.
Shuma e 40 milionë eurove për një mbrojtës krahu të majtë, tashmë të transformuar në një mesfushor, do të ishte një rekord për futbollin evropian dhe kjo do ta shtynte Totenhem të pranonte këtë ofertë që i krijon mundësinë të bëjë investime të rëndësishme për sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 May 2012 08:41