Trajneri Mark Hjuxhs do të përfitojë një bonus prej 1 milion paund nëse arrin të mbajë QPR në elitën e futbollit anglez të dielën, me një rezultat që mund të prishë festën e titullit të ish-skuadrës së tij, Mançester Siti.
Klubi londinez ka nevojë për të paktën një pikë në stadiumin “Etihad” për të evituar rënien nga kategoria. Por skuadra e Mançester Sitit ka nevojë të fitojë për të garantuar suksesin e parë në kampionat që nga viti 1968, pasi Mançester Junajtid është pas tyre vetëm më diferencë golash dhe mund të fitojë në fushën e Sandërlend.
Siti shkarkoi nga puna Hjuxhs në verën e vitit 2009 për ta zëvendësuar atë me Roberto Mançinin, në një lëvizje të cilën Aleks Ferguson e cilësoi “jo-etike” pak ditë më parë. Fakti që Hjuxhs ka qenë për 13 vite një futbollist i Junajtid, e bën të qartë se ai do të jetë një figurë kryesore e titullit të këtij sezoni, ndonëse ai ka deklaruar publikisht se mëria ndaj ish-punëdhënësve të tij nuk është ajo që e shtyn të kërkojë rezultat në këtë sfidë. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 May 2012 08:02