Luis Figo ka bërë një vizitë surprizë në stërvitjen e pasdites së Real Madrid, për të takuar disa nga madrilenët me të cilët ka miqësi. Ish-numri 10 i kësaj skuadre, ka bisedar gjatë me Kazijas, i vetmi futbollist që ka mbetur te Reali që në kohën kur luante mesfushori portugez.
Më pas, ai ka folur me Murinjon, trajner i tij te Inter, si dhe me Kristiano Ronaldon, por shumë vjet shok skuadre në kombëtaren portugeze të futbollit. Për këtë të fundit, ai ka folur fjalët më të mira në intervistat që ka lëshuar për mediat e pranishme.
“Çdo vit ngjitet një nivel më shumë, duke treguar cilësinë që ka dhe duke thyer rekordet që vendos vetë. Nuk dihet se cili është limiti i tij. Po realizon shifra të cilat nuk duken reale. Ka përkrah një ekip fantastik që e ndihmon të realizojë këto shifra dhe bashkë me cilësitë që ka, jam i sigurt se do të vendosë rekorde të reja”, tha Figo për ish-shokun e tij në kombëtare.
Figo ka folur edhe për Realin, një ekip që ai e njeh mirë dhe ku ka qenë një nga idhujt e tifozerisë.
“Të dielën këtu do të ketë ambient feste. Kanë bërë një sezon të shkëlqyer dhe normalisht që do të festojnë me tifozët në “Santiago Bernabeu” ku ambienti është gjithmonë fantastik. Reali vazhdon të fitojë tituj kampion, që janë më të rëndësishmit. Ky sezon ka qenë spektakolar dhe po thyhen rekorde të panumërt. Vetëm kjo mjafton për të treguar punën që është bërë. Jam shumë i lumtur që Reali ka kaluar një vit të tillë”, përfundoi Figo. (LajmeShqip.com)
Thursday, 10 May 2012 21:26