Iker Kazijas e pret me padurim dhe me optimizëm fillimin e Kampionatit Evropian. “Mund ta fitojmë përsëri”, ishte përgjigja e tij optimiste para gazetarëve, në një aktivitet të organizuar për prezantimin e topit zyrtar të Euro 2012.
Megjithatë, ai ka pranuar se dëmtimet e disa lojtarëve e kanë bërë këtë më të vështirë, sidomos ato të Pujol dhe Vija. “Mund t’i ndodhë kujtdo në këto katër vite diferencë me turneun që fituam. Edhe unë nuk jam më 27 vjeç. Por dua të them se i kemi mundësitë të fitojmë. Unë fola pak me Pujol, ishte i mërzitur nga situata. Kjo është një mungesë e rëndësishme dhe shumë e ndjerë mes grupit të lojtarëve. Ndaj i uroj një riaftësim të shpejtë dhe një kthim po aq të shpejtë në radhët e kombëtares. Edhe për Vijan do të dëshironim që tashmë të kishte luajtur disa ndeshje, por nuk ndodhi siç shpresonim. Të shohim tani si do të jetë edhe gjendja e Ksavit derisa të mblidhemi bashkë”, tha ai.
“Është diçka e çuditshme që nuk do të jemi të gjithë bashkë deri pak ditë para turneut. Futbollistët ndikohen nga situata të tilla, por edhe e kuptojmë të gjithë se klubet kanë një kalendar që duhet respektuar”.
Kazijas mendon se tani të gjithë kanë si objektiv të mundin Spanjën, ndërsa në rivalët kryesorë ve Gjermaninë dhe Holandën. “Problemi ynë është që duke qenë skuadra më e mirë në botë, të gjithë do të luajnë deri në vdekje kundër Spanjës. Rivalët? Gjermania ka një ecuri fantastike ndërsa shoh të fortë edhe Holandën. Të dyja do të jenë pretendente”.
Si asnjëherë më parë, portieri i Spanjës ka folur fjalë të mira për topin me të cilin do të luhen ndeshjet, një detaj që në turnetë e mëparshëm ndërkombëtarë ka qenë kundër gardianëve të portës. “E kam provuar disa herë dhe është mjaft i mirë. Trajektoret janë të qarta. Këtë radhë, topi do të ndihmojë portierët”, deklaroi Kazijas. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 May 2012 16:01