Marçelo Lipi është më në fund pranë firmës me klubin kinez të Guangzhou Evrgrande, skuadrës së Kanton që aktualisht kryeson me 22 pikë kampionatin kinez të futbollit kur janë luajtur vetëm 9 javë. Ky klub ambicioz, që ka shpallur hapur planet për të dominuar Azinë, ka bërë një investim relativisht të madh duke përforcuar stafin teknik me trajnerin që shpalli Italinë Kampione Boten ë vitin 2006.
Sipas mediave italiane, Lipi do të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare, nga e cila do të përfitojë shifrën e pabesueshme të 23 milionë eurove, shumë të cilën as nuk mund ta imagjinonte në cilindo klub evropian.
Trajneri pritet të marrë me vete disa nga bashkëpunëtorët e tij më ë ngushtë, të cilët do t’i rrëmbejë nga Juventusi. Nga bardhezinjtë pritet të udhëtojë drejt Kinës përgatitësi atletik Klaudio Gaudino, i cili ka ndërprerë që tani marrëdhëniet me klubin që sapo u shpall kampion i Italisë. Ndërkohë, Lipi po bën maksimumin për të marrë me vete edhe ndihmësin e ngushtë të Antonio Kontes, Mikelanxhelo Rampulën, të cilit do t’i besohet edhe detyra e përgatitësit të portierëve.
Por Lipi nuk është i vetmi trajner italian që do të udhëtojë së shpejti drejt Lindjes, pasi atë do ta ndjekë edhe Klaudio Ranieri. Ky i fundit, pasi ka shëtitur pa shumë fat mes skuadrave më të njohura në Itali si Juventus, Roma e Inter, do të shkojë në Katar, ku të paktën do të ngushëllohet me shifrat stratosferike që paguajnë sheikët për trajnerët e njohur në arenën ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 May 2012 14:11