Spanja ka marrë një goditje të rëndë në tentativën e saj për të mbrojtur titullin Kampion të Evropës pas lajmit se Karles Pujol do të mungojë në turneun që zhvillohet këtë verë.
Pujol ka nevojë t’i nënshtrohet një operacioni në gju, pasi filloi të ndjente shqetësim gjatë derbit me Espanjol dhe prognoza e mjekëve është se ai do të ketë nevojë për të paktën 6 javë pushim absolut.
“Pas zhvillimi të testeve, u vendos që lojtari ti nënshtrohet operacionit artroskopik me datë 12 maj”, shkruhet në deklaratën e publikuar nga klubi i Barcelonës. Si rrjedhojë, kapiteni i katalanasve do të mungojë edhe në finalen e Kupës së Mbretit që skuadra e tij luan përballë Atletik Bilbao me datë 25 maj.
Mungesa e Pujol mund të jetë një goditje e rëndë për Spanjën, pasi 34 vjeçari ka qenë një prani e rregullt në formacionin titullar të këtij ekipi gjatë 10 viteve të fundit. Ai ka regjistruar deri tani 99 ndeshje me kombëtaren e Spanjës, ndërsa shënoi golin e fitores 1-0 në gjysmëfinalen kundër Gjermanisë në Botërorin e vitit 2010.
Operacioni i tij do të detyrojë Visente Del Bosken të aktivizojë në qendër të mbrojtjes dyshen Xherard Pike-Serxho Ramos, ku i pari nuk ka qenë në formën e tij më të mirë këtë sezon, ndërsa i dyti është kthyer në këtë rol vetëm nga mungesa e lojtarëve të tjerë të Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 May 2012 13:22