Hetimi i Federatës Turke të Futbollit është mbyllur pa rënie nga kategoria apo penalizime të tjera për skuadrat e përfshira në skandalin e trukimit të ndeshjeve. Të vetmit që janë dënuar ishin dy drejtues të lartë të Fenerbahçes dhe 8 drejtues e lojtarë të klubeve të tjera.
Gjatë verës së kaluar, skandali i trukimit të ndeshjeve çoi në rreth 60 të arrestuar, mes të cilëve edhe presidentin e Fenerbahçes, Aziz Jildirim, i cili gjithsesi mbetet në proces penal për akuzën e organizatës kriminale.
Sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu”, janë shpallur të pafajshme 16 klubet që akuzoheshin për përfshirje në manipulimin e 19 ndeshjeve të sezonit të kaluar.
Të pezulluar janë zëvendëspresidenti i Fenerbahçes, Sekip Mosturoglu (një vit) dhe menaxheri i klubit Ilhan Eksioglu (tre vjet).
Në hetime, të cilat silleshin rreth titullit të fituar në mënyrë të parregullt nga Fenerbahçe, përfshiheshin edhe emra të tjerë të mëdhenj të futbollit turk si Beshiktash, Gallatasaraj e Trabzonspor, ndërsa mes të arrestuarve kishte edhe drejtues e lojtarë të kombëtares turke.
Ndërkohë, Fenerbahçe, gjatë javës së kaluar tërhoqi padinë civile që kishte bërë kundër UEFA-s dhe Federatës Turke, duke kërkuar dëmshpërblim ekonomik për përfitimet e munguara, meqë nuk u lejua të merrte pjesë në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 May 2012 12:30