Tito Vilanova do të ketë mundësinë të tregojë aftësitë e tij kundër “mësuesit” Pep Guardiola në një ndeshje bamirësie në Barcelonë në fundin e muajit maj.
Guardiola konfirmoi me 27 prill se do të largohej nga drejtimi i skuadrës katalanase ndërsa klubi i tij nuk humbi kohë duke caktuar ndihmësin e tij më të afërt si pasardhës të denjë.
Ndeshja e fundit e tij zyrtare në drejtimin e Barcelonës do të jetë me 25 maj, në finalen e Kupës ë Mbretit përballë Atletik Bilbaos, por tashmë katalanasit kanë konfirmuar se ai do të ketë një tjetër “detyrim” ndaj klubit vetëm dy ditë më vonë.
Guardiola do të drejtojë gjysmën e skuadrës së Barcelonës, ndërsa Vilanova do të drejtojë gjysmën tjetër, në një ndeshje që “TV3” dhe “Radio Catalunya” kanë organizuar si pjesë e maratonës së bamirësisë për mbledhje fondesh kundër urisë në botë.
“Të gjitha skuadrat e futbollit në qytetin tonë janë të rëndësishme por Barça ka një rëndësi më të veçantë”, tha kryetari i bashkisë së qytetit, Ksavier Trias. “Ata do të sigurojnë një prani të madhe të medias dhe fakti që skuadra e parë ka vendosur të luajë në këtë ndeshje, bashkë me dy trajnerët, është shumë domethënëse”.
Por këtë radhë, katalanasit do të shfaqin talentet e tyre në futbollin e sallës në “Palau Sant Jordi” dhe jo në një fushën e gjelbër të “Kamp Nou”. Ndaj do të jetë mjaft interesante të shihet “tiki-taka” e yjeve të kësaj skuadre, e cila ka marrë inspirimin pikërisht nga futbolli i sallës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 May 2012 10:51