Mauricio Pelegrino është emëruar trajneri i ri i Valencias, ndërsa konfirmimi zyrtar ka ardhur nga vetë klubi spanjoll.
40 vjeçari firmosi kontratën për dy sezonet e ardhshme, pasi Unai Emeri bëri të ditur zyrtarisht të hënën se do të largohej nga ky klub.
Pelegrino nuk ka drejtuar asnjëherë më parë një skuadër futbolli, por ka qenë asistent i Rafael Benitez gjatë kohës kur ky i fundit drejtonte Liverpulin dhe më pas Interin.
Megjithatë, ish-mbrojtësi argjentinas ka kaluar 6 vite të suksesshme të karrierës së tij në radhët e Valencias si lojtar nga viti 1999, deri në vitin 2005, për të fituar aty dy tituj kampion dhe për të qenë dy herë finalist i Ligës së Kampioneve.
Ndërkohë, Emeri pritet të marrë drejtimin e Spartak Moskës, që i ka bërë një ofertë shumë të rëndësishme ekonomike.
Trajneri me prejardhje baske mori drejtimin e Valencias në vitin 2008, pasi kishte shkëlqyer në drejtimin e Almerias, ndërsa udhëhoqi skuadrën e tij të re në tre vende të treta radhazi në kampionatin spanjoll, por pa arritur asnjëherë të trondiste dominimin e Barcelonës dhe Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 May 2012 10:01