Mungesa e Derrik Rouz dhe tashmë edhe e Xhoakim Noah, e ka kthyer Çikagon në një skuadër të zakonshme dhe kjo është provuar me humbjen e tretë radhazi përballë Filadelfias në raundin e parë të play-off në Konferencën e Lindjes. Disfata 89-82 mund t’i kushtojë shtrenjtë Çikagos që tashmë duhet të shpresojnë për një fitore në shtëpi në ndeshjen e ardhshme për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim, pasi seria është 3-1 në favor të Filadelfias. Kjo e fundit duket se ka gjetur pikën e saj të referimit te loja e qendrës Spenser Hous, i cili në këtë ndeshje shënoi 22 pikë e 8 topa në tabelë, për të ndihmuar të zakonshmin Andre Iguodala që shënoi 14 pikë e 12 topa në tabelë.
Majemi nuk ka arritur të mbyllë serinë me Nju Jork, pasi është mundur 89-87. LeBron Xhejms me 27 pikë, këtë radhë nuk arriti të ndalonte Karmelo Entonin, i cili shënoi 41 pikë për të mbajtur ende gjallë shpresat minimale të Nju Jork për të përmbysur serinë.
Një skuadër që ka çuditur të gjithë në këtë raund të parë është Boston, që ka dominuar edhe në takimin e tretë kundër Atlantas, të fituar me rezultatin 101-79. Diferenca prej 37 pikësh në fillimin e periodës së tretë i ka dhënë mundësinë Boston të lërë pushim thuajse të gjithë titullarët dhe të përdorë zëvendësuesit duke menduar që të ruajë energji për ndeshjen e radhës që zhvillohet në fushën kundërshtare. Razhan Rondo shënoi 20 pikë e 16 pasime, ndërsa Pol Pirs shënoi 24 pikë në vetëm 17 minuta lojë.
Edhe LA Leikërs i është afruar ndjeshëm kualifikimit në raundin e dytë të play-off, pasi ka fituar 92-88 në fushën e Denver duke çuar serinë në 3-1. Të udhëhequr nga Kobi Brajant me 22 pikë, 8 top në tabelë e 6 pasime, kalifornianët kanë arritur të kalojnë Denver vetëm në periodën e fundit, ku rezultoi vendimtare gjuajtja për tre pikë e Stiv Bleik. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Çikago (1)-Filadelfia (3) 82-89
Majemi (3)-Nju Jork (1) 87-89
Atlanta (1)-Boston (3) 79-101
LA Leikërs (3)-Denver (1) 92-88
Sonte
San Antonio (3)-Utah (0)
Memfis (1)-LA Klipërs (2)
Monday, 07 May 2012 08:03