Presidenti i Barcelonës Sandro Rosell, ka deklaruar publikisht se Pep Guardiola është i mirëpritur të kthehet te ky klub “kur dhe si të dëshirojë ai”.
Pas lamtumirës spektakolare që i bëri Guardiola stadiumit “Kamp Nou”, presidenti i katalanasve nuk mund të bënte asgjë tjetër përveçse të shprehte admirimin për punën e tij në vite.
“’Kamp Nou’ i ka treguar Pep dashurinë e tij. Dyert e këtij klubi do të jenë gjithmonë të hapura për të. Ai është i lirë të kthehet këtu kur dhe si të dëshirojë. Jam krenar që jam president në këtë klub”, tha Rosell, i cili shprehu besimin se do ta shihte përsëri Pep mes katalanasve pasi “është një personazh që ka kaluar gjithçka të imagjinueshme në historinë e këtij klubi”.
“E kuptoj që je i lodhur nga puna këtu dhe ky është një vendim personal që duhet ta respektojmë. Po të ishte për mua, ti nuk do të largoheshe kurrë”, shtoi ai para Guardiolës, ndërsa e vlerësoi këtë si një sezon shumë të suksesshëm, ndonëse të tjerët e cilësojnë të dështuar për shkak të pamundësisë për të fituar kampionatin dhe Ligën e Kampioneve.
“Këtë sezon kemi fituar Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës dhe Botërorin e Klubeve. Kemi mundësinë të marrim edhe Kupën e Mbretit, e nëse një gjë e tillë bëhet realitet, do të jemi klubi më i suksesshëm në Evropë në këtë edicion”, përfundoi ai. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 May 2012 14:10