Shefi i skuadrës Red Bull në Formula 1, Kristian Horner, nuk sheh arsye për të cilën Mark Ueber mund të dëshirojë të largohet nga ky ekip, ndonëse kohët e fundit është përfolur se ai do të jetë zëvendësuesi i Felipe Masa të Ferrari.
Media të ndryshme kanë raportuar se australiani ka një akord paraprak me skuadrën italiane, por shefi i tij aktual mendon se Ueber është i lumtur te ekipi i tij dhe se do të ishte edhe më i lumtur nëse do të rinovojë kontratën.
“Në çdo pranverë përsëritet se Mark do të shkojë te Ferrari. Por ai nuk ka veshur tutat e kuqe. Mendoj se është e paevitueshme, çdo pilot është përmendur si një partner i mundshëm i Fernando Alonsos në sezonin e ardhshëm, por ne aktualisht fokusohemi vetëm te vetja”.
“Mark ka kënaqësi të punojë me këtë skuadër, i pëlqen të jetë këtu dhe ne na pëlqen të punojmë me të. Në kohën e përshtatshme gjatë sezonit do të ulemi dhe do të diskutojmë me të rreth të ardhmes, ashtu siç kemi bërë në sezonet e mëparshme”, tha Horner për pilotin australian. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 May 2012 12:31