Ndeshja e fundit si trajner e Pep Guardiolës në “Kamp Nou” është shoqëruar edhe me lamtumirën e tij emocionale, një festë e përgatitur nga klubi katalanas, me pjesëmarrjen e 89 mijë spektatorëve të pranishëm në stadium.
Tekniku që është kthyer në një nga idhujt e Barcelonës dhe padyshim në një nga personazhet më të dashur të klubit, ka shprehur emocionet e tij duke folur nga mesi i fushës pas përfundimit të takimit.
“Jeta më ka bërë këtë dhuratë në këto vite, që të kënaqem me këto djem. Unë kam qenë shumë i privilegjuar dhe ju nuk e dini vlerësimin që kam për të gjithë ju, për mbështetjen që më keni dhënë. Faleminderit të gjithëve, kemi luftuar çdo ditë që ju të kaloni sa më mirë kohën duke na parë të luajmë futboll. Por unë jam i qetë, se largohem duke e ditur që ju lë me lojtarët më të mirë”, tha Guardiola në lamtumirën e tij.
Ndërkohë, spektatorët e përshëndetën atë me një parullë gjigande ku shkruhej ‘T’estimem Pep!’ (‘Të vlerësojmë Pep!’). Edhe gjatë ndeshjes kishte vazhdimisht kore në adresë të tij, ndërsa tifozët kanë shkruar mesazhe përshëndetje në një mur të madh që klubi kishte vënë në dispozicion për të gjithë ata që donin të uronin trajnerin katalanas.
I larguar mes duartrokitjeve të tifozëve dhe skuadrës së tij, Guardiola ka preferuar që lamtumirën e “vërtetë” nga “Kamp Nou” ta bënte vetëm pasi ishin fikur të gjitha dritat e impiantit dhe shkallët e tij të ishin boshatisur plotësisht. Trajneri i katalanasve është kthyer në fushë në orët e vona të natës nën shoqërinë e babait, bashkëshortes dhe tre fëmijëve të tij, duke qëndruar për disa minuta në errësirën e stadiumit, ashtu siç kishte bërë edhe në vitin 2001, kur ishte larguar nga ky klub si futbollist. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 May 2012 13:21 
