Çelsi ka fituar Kupën FA duke arritur të sigurojë të paktën një trofe në këtë sezon, falë suksesit 2-1 ndaj Liverpulit në finalen e luajtur në “Uembli”.
Në një ndeshje mes shumë emocionesh, dy skuadrat nuk kanë kursyer asgjë ndaj njëra-tjetrës, por kanë qenë londinezët ata që kanë kërkuar më me ngulm fitoren dhe kanë gjetur të parët golin me anë të Ramirez që në minutën e 11-të. Mesfushori u bë kësisoj braziliani i parë që shënon në finalen e turneut më të vjetër në Angli.
Dominimi në raste të krijuara të Çelsit u kurorëzua me sukses kur në minutën e 52-të, Didier Drogba shënoi golin e dytë për skuadrën e tij, duke hyrë në histori si futbollisti i vetëm që ka shënuar në katër finale të këtij turneu.
Kjo detyroi Dalglish të aktivizonte Endi Keroll, të lënë në stol në këtë ndeshje dhe ish-sulmuesi i Njukasëll vërtetoi që trajneri i tij kishte vepruar gabim duke shënuar pas pak minutash golin që shkurtoi diferencën në 2-1.
Minuta e 81-të e ndeshjes do të përmendet shpesh gjatë ditëve të ardhshme, pasi dhuroi një tjetër moment diskutimi mbi përdorimin apo jo të teknologjisë në futboll. Keroll gjuajti me kokë dhe filloi të festonte shënimin e golit të barazimit, ndërsa Çeh largoi topin mbi vijën fatale të portës. Vijërojtësi bëri me shenjë që topi nuk kishte kaluar vijën fatale, ndërsa edhe pamjet filmike nuk tregonin qartë nëse topi kishte hyrë në portë para ndërhyrjes së portierit të Çelsit.
Pavarësisht tentativave të Liverpulit në minutat e fundit, ndeshja u mbyll me fitoren 2-1 të Çelsit, që merr trofeun e parë të sezonit, duke shpresuar që disa ditë më vonë të marrë një tjetër më të rëndësishëm, Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Saturday, 05 May 2012 21:57