Mediat italiane janë të sigurta se sezonin e ardhshëm, Ezekiel Laveci nuk do të veshë më fanellën e Napolit, por mbetet për t’u mësuar destinacioni i tij.
Lojtari është i vetmi që ka një klauzolë largimi prej rreth 31 milionë eurosh dhe presidenti De Laurentis ka bërë të qartë se kjo shifër do të jetë e pandryshueshme për këdo që kërkon futbollistin.
Deri tani, pretendentët e konfirmuar janë katër, duke filluar nga Inter që ka bërë një ofertë paraprake prej 20 milionë eurosh për futbollistin, e refuzuar menjëherë nga drejtuesit e Napolit.
Një nga destinacionet më të preferuara të vetë futbollistit duket se është Anglia, ku ai kërkohet me ngulm si nga Çelsi, ashtu edhe nga Mançester Siti. Cilado nga këto skuadra ka mjaftueshëm të ardhura për të siguruar blerjen e këtij futbollistit, por në të dy rastet, pritet të mësohet nëse do të arrijnë ndonjë trofe për këtë sezon para se të planifikojnë llojin e merkatos për vitin e ardhshëm.
Alternativë shumë interesante është edhe Paris Sent Zhërmen, që sido që të shkojnë gjërat në këtë sezon, do të përforcohet ndjeshëm për vitin e ardhshëm. Ançeloti ka shprehur pëlqimin e tij për Lavecin, ndërsa ky i fundit nuk do t’i thoshte jo transferimit në Paris, sidomos nëse oferta e francezëve do të shoqërohej me një rritje të ndjeshme të rrogës ekzistuese. (LajmeShqip.com)
Saturday, 05 May 2012 11:15