Xhon Terri ka nxitur shokët e skuadrës te Çelsi që të ndihmojnë Roberto Di Mateon për t’u bërë trajneri i përhershëm i ekipit londinez duke fituar Kupën FA të dielën.
Kuptohet që fitorja e një trofeu në finalen kundër Liverpulit do të rriste ndjeshëm shanset e italianit për të siguruar vendin e punës duke bindur përfundimisht Roman Abramoviç se ai është njeriu i duhur për të drejtuar ekipin. Me sa duket në këtë objektiv, ai ka mbështetjen e plotë të Xhon Territ.
“Ai sigurisht që ka punuar shumë mirë për të na sjellë në këtë pikë ku jemi në kampionat dhe në të gjithë turnetë e tjerë në të cilën morëm pjesë. Fitorja në këtë turne do ta vinte në një pozitë të favorshme”.
“Ai personalisht nuk po e mendon një gjë të tillë, nuk po i lejon lojtarët që të shpërqendrohen nga gjëra të tjera. Di Mateo është shumë pasionant, një person besnik ndaj Çelsit dhe kjo është ngulitur mirë në mendjen e lojtarëve. Ndaj nëse ne mund të fitojmë një trofe dhe t’i japim Robit një bonus për të siguruar këtë vend pune, aq më mirë”, ishin fjalët e kapitenit të Çelsit. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 May 2012 19:02