Andrea Stramaçioni nuk beson se do të jetë ai trajneri i Interit në sezonin e ardhshëm. Në një intervistë të dhënë për “La Gazzetta dello Sport”, trajneri aktual i zikaltërve është i sigurt se e ardhmja e tij është vendosur tashmë nga presidenti Morati.
“Presidenti ka të drejtën të zgjedhë siç e mendon më të arsyeshme, por unë besoj se ai e ka vendosur tashmë se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Ai është i aftë të shmanget por kam ndjesinë që ka ide të qarta mbi mua”, tha Stramaçioni, i cili pranoi se nuk do të kthehet më të drejtojë ekipin e të rinjve te zikaltërit.
“Nuk do të kthehem te të rinjtë, do të kisha menduar për një tjetër vit aty nëse nuk do të kishte ndodhur gjithçka që ndodhi. Po tani nuk do të ishte e drejtë të kthehesha prapa”, tha ai, duke lënë të kuptohet se do të ulej në stolin e ndonjë skuadre tjetër në Serinë A ose B nëse nuk mbetet në stafin teknik të Interit.
Në fund, ai ka folur për derbin e fundjavës dhe për lojtarët që ka drejtuar këto javë në stolin e Interit.
“Do të bëjmë një derbi të madh por do të na nevojitet zemër dhe kuraje. Shnajder është lojtari që më ka çuditur më shumë nga të gjithë ata që kam stërvitur, Kambiaso është i palëkundur. Forlan? Kam folur me të dhe më ka thënë: ‘Mister, zgjedhjet tuaja janë ato të një të çmenduri’”, tregoi trajneri 36 vjeçar i Interit. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 May 2012 14:10