Fabio Kapelo ka paralajmëruar pasardhësin e tij Roi Hodgson se ai nuk ka kohën e mjaftueshme për të kthyer Anglinë në një ekip pretendent për Euro 2012 që fillon muajin e ardhshëm.
“Kjo nuk është një punë normale, është shumë e vështirë të krijosh diçka në një periudhë kaq të shkurtër kohore. Ideja është të krijosh frymën në ekip dhe mentalitetin fitues në një periudhë shumë të shkurtër, do të jetë shumë e vështirë. Një gjë tjetër është se nuk do të luajë shumë ndeshje, në thuajse çdo takim vazhdon rrugën ose eliminohesh”, tha Kapelo për “The Times”.
Trajneri italian e njeh anglezin që gjatë periudhës kur ky i fundit drejtonte Interin në kampionatin italian të futbollit, ndërsa shpreson se një paraqitje e mirë e Anglisë do të tregojë se edhe vetë italiani ka punuar mirë duke lënë një skuadër cilësore në dispozicion të pasardhësve.
“Unë besoj se ai është një trajner i mirë dhe me eksperiencë. I uroj më të mirat për të ardhmen dhe për Euro 2012. Jam i lumtur me punën që kam bërë për Anglinë. Shpresoj që ajo të jetë një nga skuadrat më të mira për Euro 2012 dhe të tregojë që puna që kam bërë ishte e mirë”.
“Gjëja që nuk do të harroj kurrë në eksperiencën time me Anglinë është ai gol i Lampard kundër Gjermanisë. Nëse gjyqtari do ta kishte akorduar golin, gjithçka do të ndryshonte për kombëtaren tonë”, tha trajneri italian, i cili pranoi se ishe i gatshëm të merrte drejtimin e një klubi ambicioz anglez nëse do t’i jepej rasti. “Anglishtja ime nuk është aq e keqe”, ishte batuta e tij. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 May 2012 13:20