Silvio Berluskoni shpreson që të mbyllë sezonin me një titull kampion, ndonëse dy javë para fundit, Milani i tij është ende pas Juventusit në renditjen e kampionatit. I pyetur nëse ende mendon që është e mundur një gjë e tillë, Berluskoni është përgjigjur shkurtimisht “Shpresojmë, shpresojmë”.
Më pas, duke u kthyer te Masimiliano Alegri dhe debatet rreth qëndrimit apo largimit të tij, presidenti i nderit i Milanit ka konfirmuar se tekniku do të vazhdojë në drejtimin e kësaj skuadre. “E kam konfirmuar”, ishte përgjigja për pyeten nëse i kishte rinovuar besimin trajnerit të tij në këtë moment delikat të sezonit.
Por djali i presidentit të kuqezinjve, Pier Silvio Berluskoni, ka bërë të qartë se drejtuesit e kësaj skuadre vazhdonin të ëndërronin një të ardhme ndryshe, me Pep Guardiolën në drejtimin e ekipit.
“Për titullin kampion është shumë e vështirë. Megjithatë, sipas meje, Alegri ka bërë gjithçka mirë, pavarësisht dëmtimeve. Guardiola? Mbetet një ëndërr e bukur, ku i dihet!”, ishin fjalët e tij.
Ndërsa e ardhmja e trajnerit për momentin duket e bazuar te Alegri, klubi kuqezi po mendon të rindërtojë ekipin nga i cili do të largohen shumë veteranë në fund të këtij sezoni. Kuqezinjtë duket se kanë siguruar në tjetër “parametër zero”, duke marrë mesfushorin e Nensi, Bakaje Traore, një nga lojtarët më të spikatur të këtij sezoni në kampionatin francez. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 May 2012 09:20