Totenhemi ka ruajtur vendin e katërt në renditjen e kampionatit anglez pasi ka fituar 4-1 në fushën e Bolton. Londinezët e drejtuar nga Herri Redknap kanë triumfuar në këtë sfidë të vështirë për të mbajtur shpresat për një përfaqësim në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
Në fillimin e ndeshjes, të dy skuadrat dhe tifozët e pranishëm në stadium kanë duartrokitur gjatë rikthimin në fushën e gjelbër, për tani si tifoz i thjeshtë, të Fabris Muamba, mesfushorit i cili disa javë më parë pësoi atak kardiak pikërisht në ndeshjen mes Totenhem dhe Bolton në Kupën FA. Por këtë radhë, lojtari nuk ka arritur të festojë, pasi ekipi i tij është mundur dhe rrezikon rënien nga kategoria.
Miqtë kanë qene dominues dhe epërsinë e tyre e kanë treguar në pjesën e dytë, kur brenda 9 minutash kanë shënuar 3 gola për të siguruar këtë fitore të pastër 4-1.
Në garë për vendin e katërt mbetet edhe Njukasëlli, që ka mundur në transfertë Çelsin me rezultatin 2-0 duke qëndruar në vendin e pestë, me pikë të barabarta me Totenhem.
Për skuadrën e Alan Pardju, heroi i ndeshjes ka qenë sulmuesi Papis Cise, i cili shënoi dy herë në portën e londinezëve, ku i dyti padyshim mund të quhet goli i sezonit. Çelsi duket i eliminuar nga gara për vendin e katërt kur kanë mbetur edhe dy javë deri në përfundimin e kampionatit, pasi tashmë janë 3 pikë larg dyshes Totenhem-Njukasëll. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 02 May 2012 22:10