Trajneri i ri i Anglisë, Roi Hodgson, i ka vënë skuadrës së tij një objektiv minimal, atë të arritjes së çerekfinaleve në Euro 2012 që zhvillohet këtë verë. Ndonëse nuk ka shumë kohë në dispozicion dhe përzgjedhja e tij do të bazohet mbi atë të trajnerit të përkohshëm, Stjuart Pirs, Hodgson nuk ka ndër mend që të ulë pritshmërinë në këtë turne.
“Kampionati Evropian është i vështirë, me 16 skuadra që janë mes më të mirave në botë, jo vetëm në Evropë, ndërsa grupi ynë është ndër më të vështirët. Por unë do të zhgënjehesha shumë nëse ne nuk do ta kalonim grupin”.
“Meqë kjo është Anglia, njerëzit mund të mendojnë se sukses mund të quhet arritja në fazat e tjera të turneut, pse jo, vetëm fitorja. Por njerëzit duhet të shohin situatën më ndryshe pasi largimi i Fabio Kapelos e ka bërë situatën pak më të komplikuar”, tha ai.
Misioni i tij i parë pritet të jetë ai i rikrijimit të marrëdhënieve mes Xhon Terri dhe Rio Ferdinand, të cilët nuk flasin më njëri me tjetrin që pas skandalit kur futbollisti i Çelsit përdori shprehje raciste kundër vëllait të futbollistit të Mançester Junajtid.
“Do të kontaktoj Xhon dhe Rio, shpresoj të flas me ta personalisht dhe të shoh se si është situata. Ndaj nuk mund të bëj asnjë koment pa e bërë një gjë të tillë”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 02 May 2012 15:51