Franc Bekenbauer ka çuditur të gjithë duke deklaruar se është një tifoz i Arjen Roben dhe se shpreson që ky i fundit të qëndrojë te bavarezët. Në një intervistë të dhënë për gazetën gjermane “Bild”, ai ka shpjeguar se kritikat që kishte bërë në adresë të holandezit nuk kishin qenë me qëllim të keq.
“Për sa kohë që Bajern luan me mesfushorë krahu, është e rëndësishme që Riberi të luajë nga e majta dhe Roben nga e djathta, pasi janë perfektë. Roben është një lojtar spektakolar me aksionet individuale dhe ka shënuar shumë gola të rëndësishëm këtë sezon. Falë penalltisë së tij në Madrid ne shkuam në finalen e Ligës së Kampioneve. Unë jam një tifoz i Roben”, ka treguar ai.
Më pas, Bekenbauer ka shpjeguar se pse ka kritikuar holandezin pak kohë më parë, pas penalltisë së humbur me Borusia Dortmund në kampionat.
“Unë e kam kritikuar pasi jam i opinionit që lojtari që pëson faull nuk duhet të gjuajë asnjëherë penalltinë. Gjithashtu jam i ndërgjegjshëm që Roben është inatosur me mua për këtë kritikë. Por kjo nuk e ndryshon aspak opinionin pozitiv që kam për të”.
“Incidenti me Riberi? Një klub normalisht që minimizon një incident të tillë, pasi është i turpshëm. Nuk ka nevojë për deklarata për shtyp. Por Roben e di mirë sa i rëndësishëm është ai për Bajernin. Ndaj mendoj se do të rinovojë kontratën e tij me klubin pasi është gjëja më e mirë për të dy palët”, përfundoi Bekenbauer. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 02 May 2012 11:43