Sër Aleks Ferguson ka akuzuar trajnerin e Mançester Sitit, Roberto Mançini, se ka shqetësuat gjatë gjithë ndeshjes gjyqtarët e ndeshjes derbi të fituar pikërisht nga ekipi i trajnerit italian që i rrëmbeu edhe kreun e renditjes në kampionat.
Në një ndeshje pa shumë episode për t’u mbajtur mend, të gjithë do të kujtojnë momentin në pjesën e dytë kur Ferguson dhe Mançini u përfshinë në një zënkë pasi De Jong bëri një faull të ashpër ndaj Uellbek në mesfushë. Sipas trajnerit skocez të Mançester Junajtid, ai reagoi për shkak të këtij faulli të rëndë dhe sepse Mançini po i fliste në mënyrë të papërshtatshme gjyqtarit të katërt.
“Ai praktikisht e drejtoi vetë ndeshjen. Ai ishte gjatë gjithë kohës në vijën anësore duke i folur gjyqtarit, gjyqtarit të katërt apo vijërojtësit. Sapo dola nga stoli për një ndërhyrje të keqe të De Jong ndaj Uellbek, ai ishte jashtë përsëri. Nuk duhet të vazhdojë kështu. Ka gjithë kohën që ankohet për gjyqtarët në këtë sezon por sonte jam i sigurt se nuk do të ketë për çfarë të ankohet”, tha Ferguson.
Më pas, ai tregoi se ekipi i tij kishte pësuar gol në momentin më të keq të ndeshjes, në shtesën e pjesës së parë, duke i dhënë mundësinë skuadrës kundërshtare të luante në mbrojtje.
“Ajo ishte koha më e papërshtatshme për të pësuar gol. I dha atyre mundësinë të luanin lojën tipike italiane, pasi Mançini aktivizoi tre mbrojtës dhe luajti vetëm në kundërsulm. Por ne nuk e vumë në provë portierin e tyre dhe për këtë duhet të fajësojmë veten”, ishin fjalët e skocezit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 01 May 2012 13:24