LA Klipërs kanë regjistruar një rezultat të jashtëzakonshëm duke fituar 99-98 ndeshjen e parë të serisë së play-off në fushën e Memfis, pas një takimi që në fundin e tre periodave dukej i mbaruar dhe krejtësisht në dorën e vendasve që kishin një avantazh prej 21 pikësh. Këtë radhë, protagonistë të kalifornianëve nuk ishin Kris Pol e Bleik Grifin por Nik Jang që shënoi 3 gjuajtje për tre pikë radhazi brenda minutës dhe Maik Konlei, i cili në këtë ndeshje realizoi 17 pikë, 5 topa në tabelë dhe 8 pasime.
Ndërkohë, LA Leikërs kanë fituar qetësisht ndeshjen e tyre përballë Denver me rezultatin 103-88. Nëse faza ofensive i është besuar plotësisht Kobi Brajant, i cili shënoi 31 pikë, faza mbrojtëse ka qenë plotësisht në dorën e Endriu Bainëm. Qendra e LA Leikërs ka arritur të barazojë një rekord të NBA duke realizuar 10 bllokime në një ndeshje play-off, ndërsa i ka shtuar kësaj statistike edhe 10 pikë e 13 topa në tabelë, për t’u bërë lojtari i parë i ekipit kalifornian që nga koha e Mexhik Xhonson që regjistron një “triple-double”.
San Antonio, skuadra që mban vendin e parë në Konferencën e Perëndimit, ka treguar epërsinë e saj duke mundur 106-91 Utah me një lojë të bazuar kryesisht te treshja e yjeve. Toni Parker realizoi 28 pikë e 8 pasime, Tim Dankan shtoi 17 pikë e 11 topa në tabelë, ndërsa Manu Xhinobili shënoi 14 pikë në ndeshjen e nisur nga stoli.
Një nga duelet më të forta të raundit të parë të play-off do të jetë padyshim ai mes Atlanta dhe Boston që rivalizojnë pikë për pikë me njëri-tjetrin. Në ndeshjen e parë ka fituar 83-74 Atlanta që luante në shtëpi, falë paraqitjes së Xhosh Smith i cili ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë ndeshje me 22 pikë e 18 topa në tabelë. Për t’u shënuar te Boston ishte loja e Razhan Rondo, i cili shënoi 20 pikë e 11 pasime, por edhe u përjashtua kur kishin mbetur pak minuta para përfundimit të ndeshjes pasi shtyu një prej gjyqtarëve. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Utah (0)-San Antonio (1) 91-106
Denver (0)-La Leikërs (1) 88-103
Boston (0)-Atlanta (1) 74-83
LA Klipërs (1)-Memfis (0) 99-98
Monday, 30 April 2012 08:40