Havier Zaneti vetëm një ditë më parë kishte deklaruar se për Interin nuk përbënte ndonjë ndryshim nëse Juventusi vinte yllin e tretë në fanellë. Por presidenti Morati mendon se ky është thjesht një provokim nga bardhezinjtë dhe ka lënë gjithçka në dorën e Federatës Italiane të Futbollit.
“Ato që ka thënë Zaneti janë fjalë të urta. Të shohim nëse Federata do ta pranojë provokimin. Por që nga ai moment janë të lirë të gjithë të bëjnë çfarë të duan. Mua më duket diçka që ka pak logjikë, për momentin më duket vetëm një provokim”, ishin fjalët e Moratit, i cili insiston se Interi e ka merituar titullin e Juventusit që iu kalua zikaltërve pas procesit “Calciopoli”.
Më pas,ai ka bërë një koment të shkurtër mbi trajnerin e ardhshëm të skuadrës zikaltër, duke mbyllur hëpërhë diskutimet rreth afrimit të Pep Guardiolës.
“Për momentin jam i përqendruar vetëm te Stramaçioni. Pep Guardiola mendoj se do të bëjë një vit pushim. Stramaçionit i jap një notë shumë të mirë. Kundër Kaljarit e Fiorentinës, edhe pse gjërat nuk shkuan si duhej, ka patur guxim dhe kjo gjë më ka pëlqyer”.
“Në kampionat duhet vetëm të bëjmë mirë, Napoli ka shumë siguri por neve na duhet që të fitojmë. Kemi një garë të vështirë ndaj Parmës e pastaj na pret derbi. A kthehet Leonardo? Kam lexuar gjithçka që shkruhet në gazetat franceze e më bëhet qejfi, por nuk besoj se do të ndodhë”, përfundoi presidenti i zikaltërve. (LajmeShqip.com)
Friday, 27 April 2012 15:20