Seria A dhe Seria B duket se do të vendosen jashtë fushës së lojës dhe jo nga ndeshjet 11 kundër 11 brenda katërkëndorit të gjelbër. Ky është paralajmërimi që ka bërë presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Xhankarlo Abete, i cili ka konfirmuar se do të ketë sanksione disiplinore për të gjithë klubet e përfshira në skandalin e trukimeve.
“Në fillim të muajit maj do të bëhet e qartë situata e klasifikimeve të Serisë A dhe B, në bazë të rezultateve të para të hetimit të Prokurorisë dhe Federatës Italiane mbi skandalin e manipulimit të ndeshjeve. Gjatë këtyre ditëve, prokurori Palaci do të përcaktojë situatën në përputhje me dokumentet që do të na kenë mbërritur nga Prokuroria e Kremonës”, tha Abete.
Një gjë të tillë e konfirmoi edhe presidenti i Ligës të Serisë B, Andrea Abodi, i cili ka bërë të qartë që renditjet do të pësojnë ndryshime të ndjeshme.
“Do të jetë një sezon i dhimbshëm. Javët e ardhshme do të jenë shumë të vështira, do të vijnë shumë shpejt masa të tjera dhe do të kemi një kuadër të qartë të ndryshimeve. Unë do të preferoja që rezultatet të vendoseshin vetëm nga fusha e lojës, por nëse fusha nuk do të mjaftojë, do të marrim masat dhe do të rifillojmë gjithçka nga e para”, deklaroi ai.
Sipas mediave italiane, janë thuaje 60% e skuadrave të Serisë A dhe B që rrezikojnë të përfshihen nga sanksione për pjesëmarrjen e drejtuesve të tyre apo lojtarëve në manipulimin e ndeshjeve të kampionateve të kaluara dhe Kupës së Italisë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 April 2012 16:20