Lufta për titullin kampion në Serinë A vazhdon e pandryshuar, me Juventusin që kryeson dhe Milanin që e ndjek me 3 pikë diferencë. Të dy ekipet kanë fituar me rezultate identike 1-0 në ndeshjet e sotme, me gola në minutat e fundi që kanë mbajtur gjallë rivalitetin mes tyre.
Juventus ka fituar 1-0 në fushën e Çezenës, me një ndeshje të kaluar tërësisht në sulm, ku Pirlo ka humbur një penallti që në minutat e para, ndërsa De Çelje ka goditur traversën. Meqë situata nuk po zhbllokohej, Konte ka hedhur në fushë Del Pieron e Borrielon, një lëvizje mëse e saktë, pasi dy lojtarët kanë qenë protagonistët e fitores. Një aksion i nisur nga sulmuesi legjendar i bardhezinjve është finalizuar nga Borrielo, në golin e tij të parë me fanellën bardhezi, për t’i dhënë kësaj skuadre tre pikë mëse të rëndësishme kur kanë mbetur edhe 4 javë nga përfundimi i kampionatit.
Edhe Milani ka fituar 1-0, në një ndeshje që është dukur shumë më e vështirë se sa pritej përballë Xhenoas që lufton për mbijetesë. Kuqezinjtë kanë shfaqur problemet e fundjavës dhe janë dukur shumë të ngadaltë në manovrën e tyre, duke u bërë të lexueshëm për mbrojtjen e skuadrës mike. Por duke iu afruar fundit të ndeshjes, ka mjaftuar një gjuajtje e fortë diagonale e Boateng për të dërguar topin në rrjetë dhe për të bërë “San Siron” të marrë frymë thellë, duke vazhduar të shpresojë për një përmbysje ndaj bardhezinjve të Juventus. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 April 2012 19:56