Mediat sportive italiane janë të sigurta: Fabio Kapelo do të kthehet te Milani duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Duket se kjo është dëshira e Silvo Berluskonit, i cili po projekton ndërtimin e ciklit të ri të Milanit të madh e për këtë arsye i duhet një trajner fitimtar, ndërsa Alegri nuk e kënaq.
Por gazetat e ndryshme janë të ndara mbi rolin që do të mbajë Kapelo te kuqezinjtë, atë të trajneri apo të drejtorit teknik. “Gazzetta Dello Sport” dhe “Repubblicca” bëjnë të ditur se ai mund të jetë drejtori i ardhshëm teknik, i cili do t’i bashkohej Adriano Galianit për të ndërtua një dyshe të paarritshme për skuadrat e tjera.
Ndërsa gazetat e tjera flasin për hipotezën gjithnjë e më të mundshme të largimit të Masimiliano Alegrit, i cili nuk ka bindur duke humbur kampionatin përballë Juventusit, një skuadre me shumë më pak elementë cilësorë në dispozicion. Në këtë rast, Kapelo do të ishte një prej alternativave më të vlefshme për të marrë postin e trajnerit, për të rindërtuar skuadrën e cila ka nevojë urgjente për një rifreskim nëpërmjet afrimit të elementëve të rinj dhe largimit të veteranëve.
Lista e trajnerëve të preferuar nga Berluskoni nëse Kapelo rri në postin e drejtorit teknik vazhdon me Spaleti e Montela, ndërsa ëndrra e madhe e tij është ajo e afrimit të Pep Guardiolës në radhët e klubit që drejton. “Do të më kushtonte sa Flamini…”, mësohet t’u ketë thënë ai të miqve të tij. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 April 2012 11:20