Hamdi Salihi pritej të ishte protagonist kryesor i këtij sezoni për DC Junajtid. Por deri tani, sulmuesi shqiptar që është edhe futbollisti më i paguar i kësaj skuadre, ka rezultuar një dështim, jo vetëm për faktin se nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës, por edhe sepse nuk po arrin të përshtatet me lojën e ekipit të tij.
Jo rastësisht, që në momentin kur ai ka përfunduar në stolin e rezervave, DC Junajtid i është kthyer rezultateve pozitive, ashtu siç ka ndodhur edhe mbrëmë ku ekipi i tij ka mundur Nju Jork Red Bulls me rezultatin 4-1. Salihi ka parë nga stoli i rezervave se si Kris Pontius, ai që duhej të ishte zëvendësuesi i tij, ka shënuar 3 gola përballë skuadrës së Tierri Henri, ashtu si edhe Nikolas DeLeon, sulmuesi tjetër rezervë që ka shënuar golin e katërt.
Trajneri Ben Olson ka aktivizuar Salihin në fundin e ndeshjes me shpresën se ky i fundit do të arrinte të shënonte në këtë sfidë duke parë edhe vështirësitë në mbrojtje të kundërshtarit, por sulmuesi shqiptar nuk ka qenë asnjëherë në gjendje të rrezikojë portën e Nju Jork.
Menjëherë pas ndeshjes, në forumet e tifozëve të DC Junajtid kanë filluar diskutimet rreth Salihit dhe faktit që ai duhet të vazhdojë të qëndrojë në stolin e rezervave derisa të provojë në fushë që është në gjendje të shënojë.
Disa tifozë kanë vënë në dyshim përkushtimin dhe aftësitë e golashënuesit shkodran, ndonëse ky i fundit ka shkuar në SHBA me një “pasaportë” mëse të denjë, duke shënuar dhjetëra gola në të gjitha ekipet ku është aktivizuar. (LajmeShqip.com)
Monday, 23 April 2012 10:01