San Antonio ka gjetur si të prishë kthimin në fushë të Kobi Brajant, i cili mungonte prej 7 ndeshjesh për ekipin e tij si shkak i një dëmtimi. Ekipi teksan ka fituar me rezultatin e thellë 121-97 ndaj kalifornianëve, duke mbajtur kreun e renditjes në Konferencën e Perëndimit dhe duke lënë përsëri në dyshim pozicionin e LA Leikërs kur ka mbetur më pak se një javë deri në përfundimin e sezonit të rregullt. Tim Dankan (21 pikë, 8 topa në tabelë), Toni Parker (20 pikë, 10 pasime) dhe Manu Xhinobili (20 pikë, 6 topa në tabelë, 7 pasime) nuk i lejuan ekipit kundërshtar të afrohej asnjëherë në këtë ndeshje dhe treguan se për momentin ata dominojnë me meritë Konferencën. Ndërsa Brajant shënoi vetëm 19 pikë në ndeshjen e tij të kthimit, por duke qenë gjithsesi lojtari më i mirë në fushë për LA Leikërs.
Oklahoma ka mbajtur hapin e San Antonios duke fituar në fushën e Sakramento me rezultatin 103-92. Kevin Durant udhëhoqi skuadrën e tij me 29 pikë, 14 topa në tabelë e 7 pasime, duke vazhduar të mbetet një kandidat serioz për titullin e MVP gjatë këtij sezoni, ndërsa është pikëshënuesi më i mirë i NBA për momentin. Oklahoma ka vetëm një ndeshje diferencë me San Antonion për kreun e klasifikimit në Konferencën e Perëndimit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Boston-Atlanta 92-97
Memfis-Sharlot 85-80
Nju Jork-Kliveland 90-98
Golden Steit-Dallas 94-104
LA Leikërs-San Antonio 97-121
Oklahoma-Sakramento 103-92
Saturday, 21 April 2012 08:03